LOADING

Type to search

NDJESHMËRIA POZITIVE E NJË PROPOZIMI QË ZHBLLOKOI PROCESIN E INTEGRIMEVE

Блог Демистифицирање на (не) соседските односи на патот кон ЕУ: Случајот на Северна Македонија и Бугарија Ние & Јавност Работни програми Регионална интеграција

NDJESHMËRIA POZITIVE E NJË PROPOZIMI QË ZHBLLOKOI PROCESIN E INTEGRIMEVE

Share

Në mozaikun e madh të integrimeve të shtetit dhe të ardhmes evropiane qytetarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, edhe pse të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e kontestit me Bullgarinë, i cili është identitar dhe kulturor, në optikën e tyre, ata e kanë parë vetëm dritën e momentit historik, që do i mundësonte Maqedonisë së Veriut përfundimisht të zgjidhte kontestet bilaterale dhe të kishte një rrugë të hapur drejt integrimit të plotë në familjen e madhe evropiane .

Aktorët e sferës publike shqiptare duke filluar nga partitë, qofshin ato të pushtetit apo opozitës unanimisht dhe pa kushte e kanë mirëpritur propozimin francez si rrugë të vetme për të zhbllokuar procesin e integrimit europian, gjegjësisht hapjen e bisedimeve mes Maqedonisë së veriut dhe BE-së. Në të gjitha prononcimet e tyre ata kanë theksuar se rruga europiane e vendit nuk ka alternativë tjetër. Në sinkron me këtë horizont evropian ato e shohin Propozimin Francez si një bazë të mirë për një zgjidhje të kontestin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, pas gjithë atyre ngërçeve dhe përplasjeve të poleve kundërta që preknin çështjet historike dhe identitare të popullit maqedonas. Një bazë e mirë, e cila ruan pozitat gjeo-strategjike të vendit, të cilat janë në sinkron të plotë me SHBA dhe Bashkimin Evropian.

Kjo është vlerësuar si pengesa e fundit për hapjen e perspektivës evropiane, sidomos pas ndryshimit të emrit me Marrëveshjen e Prespës, që gjithashtu llogaritej si një sfidë e madhe, por që gjeti mbështetjen e jo vetëm të qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, por të secilit qytetarë që kishte një ndjeshmëri reale mbi rrugëtimin e vendit drejt integrimeve euro-atlantike.

Në të dy rastet ka pasur mundësi shumë të mira që më herët të gjendej zgjidhje me mbështetje të faktorit ndërkombëtar dhe për të përshpejtuar procesin e integrimeve. Por, përgjatë 30 viteve të ekzistencës së Maqedonisë së Veriut, elitat politike kanë kalkuluar me dogma për ta ruajtur jetëgjatësinë e pushtetit, ka pasur një qasje dogmatike dhe një narracion folklorik për t’i shmangur këto zgjidhje, që kanë qenë kompromise racionale.

Në kontestin e parë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut ishin më të përfshirë sepse ishte një çështje e dimensionit juridik- shtetëror. Në rastin me Bullgarinë qytetarët shqiptarë e kanë pasur plotësisht ndjeshmërinë e përplasjes kulturore- identitare që nuk i tangonte ato si identitet shqiptar dhe për këtë shkak gjatë tërë kohës kanë qenë të vëmendshëm në prononcimet e tyre të gjithë aktorët e jetës politike dhe shoqërore. Sidoqoftë, në gjithë kontekst të komplikuar, aktorët politik dhe shoqëror në hapësirën shqiptare, e kanë pasur parasysh se ky propozim është treni i fundit i Evropës, ndërkohë që trendet e largimit të të rinjve dhe grupmoshave tjera në drejtim të ndonjë vendi të Bashkimit Evropian gjithnjë e më shumë po bëhej alarmante. Në kontestin e dytë me shtetin fqinj të Bullgarisë, shqiptarët kanë qenë më indiferentë, por edhe me një mirëkuptim të theksuar ndaj bashkëqytetarëve maqedonas, ngaqë konteksti ishte kulturor dhe identitar. Gati nga të gjithë aktorët e jetës publike, por edhe

shoqërisë civile dhe qytetarëve është treguar një mirëkuptim i thellë mbi çështjet identare me gjithë kompleksitetin që kanë.

Nga kjo pikëpamje heqja e vetos dhe marrja e datës nga Bashkimi Evropian është një mundësi për ta luftuar depresionin shoqëro, ndërkohë që vendeve fqinje kanë shkaktuar një situatë pashpresë nëpërmjet vetove të njëpasnjëshme .Kujtojmë periudhën e Gruveskit, kur vendi hyri në një rrugë pa kthim dhe u paraqit nevoja për një reflektim gjithëpërfshirës shoqëror dhe një bashkim përtej ngjyrimeve etnike dhe ideologjike për ta kthyer vendin në binarët e rrugës evropiane.

Kthimi ideologjik në antikitet, nëpërmjet politikave të promovuara nga ish kryeministri Gruevski, pamundësoi për më tepër se një dekadë të zgjidhet problemi me emrin, i cili i siguronte vendit anëtarësim në NATO dhe hapte rrugën për çeljen e negociatave me BE-në. U deshën shumë lëvizje politike, një angazhim i fuqishëm ndërkombëtar, por edhe një impenjim shumë i madh i aktorëve të tjerë progresistë shoqërorë, që Maqedonia e Veriut të dalë nga ajo dogmë populiste.

Në gjithë këtë situatë faktori politik shqiptar ka luajtur një rol konstruktiv, duke vendosur mbi gjithçka pozicionin gjeostrategjik të Maqedonisë së Veriut dhe u ofruar për një zgjidhje racionale me bashkësinë ndërkombëtare në drejtim të zgjidhjes së problemit me emrin.

Këto ngërçe politike kishin krijuar tashmë te qytetarët një depresion shoqëror, i cili mes tjerash kishte dhe vazhdon të ketë koston e largimit të të rinjve drejt Evropës. Këto situata godasin në mënyrë më të vrazhdë shpresën e të rinjve, që synojnë të krijojnë një sinergji mes vlerave dhe mirëqenies evropiane.

Pa marrë parasysh “mëkatet” që mund t’i kenë qeveritë post- Gruveski , që nuk i shfrytëzuan sa duhet gjithë kapacitetin e mundshëm për një transponim të madh europian të vendit, nuk mund të mohohet se kishte një vullnet shumë të madh për rrugën evropiane, ndërkohë që kishte edhe një vullnet popullor për t’i ndëshkuar ligjërisht të korruptuarit . Pra , ishte një momentum politik, në të cilin qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut në prizmën e tyre më tepër filluan t’i shikojnë problemet e përbashkëta sesa dallimet kulturore dhe etnike. Të njëjtin rol faktori politik shqiptar synon ta luajë edhe me Bullgarinë fqinje, duke e vendosur procesin e integrimit mbi gjithçka , por në asnjë rast duke mos dashur të cenojnë rrafshin kulturor dhe identitar të bashkëqytetarëve maqedonas , ndërkohë që i mirëkuptojnë të zhveshur nga paragjykimet.

Duke e parë orientimin evropian dhe properëndimor si të pakontestueshëm dhe alternativë të vetme , siguria që kanë dhënë vendet e Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatët kryesorë të Maqedonisë Veriut për këtë zgjidhje i ka dhënë një bonitet të madh këtij dokumenti, ndoshta argumentin kryesor në peshoren e receptimit të kthesës historike drejt BE-së.

Pra, besojnë në konceptin e Evropës dhe vlerave perëndimore, ku diversiteti i kulturave dhe gjuhëve është vlerë e shtuar e kësaj paradigme evropiane. Këto rrethana të kontesteve të mëdha të poleve të kundërta, sigurisht kërkojnë kompromise racionale , nënkuptojnë një optikë të re për shikimin e realiteteve në kontekstin e ëndrrës së madhe të secilit popull ballkanik, që përpos të gjithë universit të diversitetit , emërues i përbashkët ka qenë rrugëtimi evropian deri në intergim të plotë në këtë Union.

Qytetari shqiptar në të gjitha rastet i ndjen si të rrezikshme narracionet antievropiane. Këto narracione i sheh të jenë anakronike dhe të rrezikshme për qenësinë dhe rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut në Evropën e vlerave, sidomos narracionet kur disa parti politike si e majta, i kanë degraduar në diskurse antievropiane , antiamerikane dhe në disa raste duke tentuar të kthejnë një padurim ndëretnik të paqenë brenda shtetit.

Pra, për ta zbërthyer nga një këndvështrim më të pranueshëm, qytetarët shqiptarë si përmbajtje dhe refleks kolektiv këtë zgjidhje e kanë parë pak a shumë të ngjashme me atë që ka pasur partitë e qeverisë, atë të një kompromisi racional me Sofjen. Një kompromis racional që duhet bërë për të ruajtur pozitat gjeo-strategjike dhe për të shmangur vonesat tjera, por nuk ka munguar në asnjë rast mirëkuptimi për njohjen e kulturave tjera që bashkëjetojnë.

Bashkim Demokratik për Integrim (BDI) si parti më e madhe e taborit shqiptar dhe fituese e krejt cikleve zgjedhore parlamentare, duke qenë pjesë e qeverisë Kovaçevski, vlerësoi se një refuzim i Propozimit Francez do të kishte pasoja për Maqedoninë e Veriut, pasi pala bullgare sërish mund të kontestojë çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas.

Bashkë me PDSH-në dhe Alternativën si pjesë e qeverisë, duke qenë në sinkron me partnerin qeveritar LSDM, e cila ka insistuar se me këtë propozimin nuk rrezikohet as gjuha edhe as identiteti maqedonas, kanë luajtur një rol për të krijuar një frymë pozitive për këtë propozim, gjithmonë duke e parë si moment historik për vendin, ngaqë ky propozim hap dyert e integrimit të vendit. Edhe partitë opozitare shqiptare ASH- ja dhe Lëvizja Besa e kanë parë propozimin francez si një zgjidhje pozitive për zhbllokimin e vendit në rrugën e integrimeve.

Të gjithë partitë shqiptare kanë pasur një impuls nga votuesi shqiptar i Maqedonisë së Veriut për të pasur qasje pozitive ndaj Propozimit Francez si tejkalim i pengesës së fundit në rrugën e integrimeve. Edhe analistët, edhe pjesëmarrësit e tjerë të jetës publike kanë pasur një reflektim të ngjashëm, të gjithë aktorët e sferës publike e kanë mbështetur Propozimin Francez.

Pas gjithë këtij procesi shoqëror dhe politik, propozimi francez u miratua nga parlamenti, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka hapur negociatat me BE-në në dy faza, ashtu siç është përcaktuar me këtë propozim dhe që nënkupton hapjen e kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në të. Spektri politik shqiptar , aktorët e jetës publike dhe reflektimi i qytetarit shqiptar në lidhje me sfidat e ardhshme të këtij procesi do vazhdojnë të jenë të njëjta, pozitiv me një entuziazëm për marrjen e datës për Integrim në Bashkimin Evropian, gjithnjë duke u besuar SHBA-së dhe partnerëve evropain si siguri në vazhdimësinë e procesit dhe ruajtjen e integritetit të Maqedonisë së Veriut.

Hapja e negociatave shënon një moment vendimtar për Maqedoninë e Veriut në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian si alternativë e vetme. Me hapjen e negociatave duhet të fillojë një mendësi dhe funksionim i ri institucional e shtetëror, që i përgjigjet idesë së vlerave dhe standardeve evropiane. Gjithë kapitujt që do të hapen, bashkë me procesin paraprak të screening-ut, do të vendosin një mënyrë të re të funksionimit të shtetit në përputhje me konceptin e funksionimit të shteteve të BE-së.

Pra, me marrjen e datës së Maqedonisë së Veriut për integrim në BE, qytetarët shqiptarë besojnë në konceptin dhe frymën e ruajtjes së dinjitetit njerëzor dhe diversitetit kulturor të këtij unioni. Qytetarët shqiptarë, gjithë aktorët e jetës publike kompromiset gjithnjë i shohin si racionale dhe pozitive në funksion të procesit integrues dhe përfundimisht në funksion të anëtarësimit të plotë në BE të Maqedonisë së Veriut.

Kjo analizë është pjesë e projektit: “Demitizimi i marrëdhënieve (jo)fqinjësore në rrugën drejt BE-së: Rasti i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, e mbështetur nga Ambasada Kanadeze në Beograd, përmes Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI). Përmbajtja e publikimit është përgjegjësi e vetme e EUROTINK – Qendra e Strategjive Europiane dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Ambasadës Kanadeze në Beograd dhe ato të Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale.

Tags:

Leave a Comment