Varet nga komunikimi

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on pinterest

Autori: Bojan Kordalov, komunikolog, magjistër i marrëdhënieve me publikun

“Ekonomia nuk i ndjek marrëdhëniet politike mes vendeve tona” – kjo ishte një nga fjalitë më të përdorura ose “klishe” mund ta quani, në deklaratat dhe njoftimet pas vizitave shtetërore mes vendeve të Ballkanit gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Një hyrje e tillë e shkurtër ishte mesazhi kryesor me të cilin padyshim synohej (kryesisht e dukshme) të tregohej se rajoni ynë po ndjek hapat e parimeve perëndimore të integrimit të mishëruara në aleancat ndërkombëtare të Bashkimit Europian dhe Aleancës së NATO-s – qëllime strategjike të vendeve të Ballkanit, ku sot shumica jemi tashmë anëtarë.

Kjo më çon në një nga tezat kryesore që e prezantoj shpesh në publik ose gjatë ligjëratave të mia për komunikim dhe marrëdhënie me publikun. Ju kujtoj se themeli i gjithçkaje qëndron në komunikim. Duke filluar që nga fëmijëria e hershme, shkolla, fakulteti, vendi i punës… Ai person që ka komunikim të qartë dhe të arsyetuar apo aftësi më të mira komunikuese në përgjithësi, duket se gjithmonë e arrin qëllimin dhe synimin shumë më lehtë.

Por, komunikimi është baza e çdo grindjeje, keqkuptimi dhe konflikti. Nëse dëshironi, nuk ekziston luftë që ndodh apo ka ndodhur, e cila nuk ka qenë e bazuar në zhurmë në komunikim apo, nga ana tjetër, keqkuptime të shkaktuara me vetëdije dhe komunikim të vështirë që për pasojë do të çojë në ftohje të marrëdhënieve, sulme verbale e akuza dhe në rastin më të keq edhe në konflikt e luftë.

Nëse kthehemi pas nesh, do të shohim se në tridhjetë vitet e fundit, rajoni ynë ka qenë pikërisht “viktimë” e komunikimit të keq. Të paktën në shumicën e rasteve, marrëdhëniet politike nuk i ndjekin marrëdhëniet ekonomike e as anasjelltas. Vendet e Ballkanit kaluan dekada përçarjesh, grindjesh, mosmarrëveshjesh, luftërash e konfliktesh dhe në fund të gjitha ato përfunduan gjithmonë me më pak njerëz, shtëpi të shkatërruara, njerëz të zhgënjyer dhe të traumatizuar, varfëri të madhe dhe mundësi të humbura për të ndërtuar shtete dhe shoqëri që do të jenë shembull dhe të krijojnë kushte jetese që i meriton çdo bashkëqytetar/e.

Nëse flasim konkretisht për marrëdhëniet maqedono-bullgare dhe komunikimin ndërshtetëror, është me të vërtetë një amplitudë dhe bosht i ndryshueshëm i marrëdhënieve dhe komunikimit gjatë dekadave të fundit. Nga temat e marrëdhënieve të ngrira në botën socialiste, përmes njohjes së parë të pavarësisë së Maqedonisë nga pala bullgare, por edhe ndihma për qytetarët bullgarë në kulturën e drithërave gjatë kolapsit monetar të Bullgarisë fqinje, përmes marrëveshjeve për zgjidhjen e çështjeve të hapura e deri në fokusin e dallimeve historike dhe kontesteve të identitetit, por edhe mbështetje për hyrjen në NATO dhe bllokimin e anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Dekada të stuhishme pas nesh dhe për fat të keq është ende e pasigurtë se si do të duken ato dekada të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërnjerëzore që janë përpara nesh.

Por le t’ua lëmë politikën politikanëve dhe t’i kthehemi komunikimit. Komunikimi digjital i sotëm, i cili nuk ka kufij dhe që lejon secilin prej nesh të krijojë një lloj “mediumi” dhe të jetë influencer. Domethënë në kohën e internetit dhe në epokën globale të digjitalizimit, kur politika bëhet publike, e qasshme dhe e dukshme për të gjithë. Është e vështirë të fshehësh apo kufizosh diçka, pa u vënë re menjëherë, por edhe pa marrë miliona pikëpamje, komente dhe mendime të ndryshme edhe pas vendosjes së hipotezave më të sakta  shkencore. Politikanët e sotëm sado të duan, nuk mund të komunikojnë dhe të marrin vendime në qarqe të ngushta partiake apo politike, vendimet dhe e drejta e votës nuk i takojnë vetëm “më profesionistëve dhe më të kaliturve”, por krijimi i vetëdijësimit publik dhe opinioni publik varet njësoj nga pjesëmarrja aktive, kontributi dhe zëri i çdo personi.

Kjo është koha që për komunikimin do të thotë shumë mundësi, përparime, por sjell me vete edhe shumë rreziqe, përdorim jo të duhur të mjeteve digjitale, propagandë, lajme të rreme, teori konspirative…

Dhe sigurisht, shumë gjuhë të urrejtjes, shpesh të bazuara në baza personale, por edhe ndërkombëtare, etnike, fetare e të tjera. Në fund të fundit, gjuha e urrejtjes është pengesë në marrëdhëniet maqedono-bullgare dhe komunikimin ndërmjet përfaqësuesve politikë të dy vendeve.

Megjithatë, ku është faji, por edhe ku qëndron zgjidhja? Është me rëndësi të madhe të theksohet vazhdimisht se gjuha e urrejtjes nuk bëhet nga shtetet, kombet, religjionet. Gjuha e urrejtjes krijohet gjithmonë dhe kudo nga persona me identitetin e tyre, pra emrin dhe mbiemrin. Prandaj faji duhet kërkuar vetëm aty ku e ka origjinën gjuha e urrejtjes dhe pikërisht tek ata individë që e zgjedhin atë si karakteristikë të tyre.

Gjuha e urrejtjes paraqet problem po aq serioz për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, pa përjashtim. Fatkeqësisht, forumet e internetit, mediet sociale dhe platformat e tjera digjitale janë plot me fyerje, poshtërime dhe komente të tjera urrejtjeje që nuk kursejnë askënd. Thjesht, baza është vetëm urrejtja, glorifikimi i përkatësisë së tyre kombëtare, etnike dhe fetare, pra nënçmimi i të gjithë njerëzve nga kombet, fetë, etnitë apo çdo dallim tjetër.

Por, nga ky lloj komunikimi i keq nuk ka asnjë përfitim për asnjë person dhe për asnjë vend. Është për të ardhur keq, por ky lloj fjalimi jo vetëm që nuk sanksionohet, por shumë shpesh nxitet nga elita të ndryshme politike në të gjitha vendet e Ballkanit. Jemi dëshmitarë në shumë situata se si nuk janë zgjedhur mjetet për të qëndruar apo për të ardhur në pushtet dhe aq më pak u mendua për pasojat afatgjata që do të sjellë ndezja e tillë e mosmarrëveshjeve ndërnjerëzore dhe akuzave të ndërsjella. Për më tepër, kjo është pikërisht ajo që politika dhe disa politikanë e përdorin me mjeshtëri dhe përpiqen të përfitojnë prej saj në fushatat zgjedhore. Kështu ne sillemi në rreth për dekada para pothuajse çdo zgjedhjeje në ndonjërën nga vendet e rajonit tonë.

Prandaj është e nevojshme që politikanët e Ballkanit të mbledhin forcë dhe në vend të “gjuetisë” së pikëve të lira politike, ta zëvendësojnë parimin “përça dhe sundo” me mendimin vizionar, komunikimin e ndershëm me qytetarët dhe fqinjët e tyre, si dhe bashkëpunimin e përkushtuar rajonal. Për shkak se problemet janë të ngjashme, shumë shpesh të përbashkëta dhe zgjidhjet do të jenë shumë më të forta nëse ato miratohen dhe realizohen në nivel rajonal. Problemet duke filluar nga korrupsioni në të gjitha nivelet, nga mosbesimi në institucionet publike deri tek emigrimi masiv i të rinjve nga rajoni i Ballkanit – shumë probleme që janë njëlloj të pranishme kudo dhe që kërkojnë qasje rajonale në gjetjen e një zgjidhjeje, si dhe mbështetjen e aleatëve perëndimorë në procesin e përgjithshëm.

Në këtë drejtim, unë propozoj të marrim vetëm një shembull praktik. Ambasada Amerikane njoftoi së fundmi se një ekip i posaçëm kundër korrupsionit ishte me mision në vendin tonë për të krijuar një listë me politikanë dhe persona të tjerë të njohur që kanë lidhje me korrupsionin. Pothuajse në të njëjtën kohë, kërkesa e Bullgarisë për anëtarësim në zonën e Shengenit u refuzua nga Bashkimi Europian me një arsyetim që përmban të njëjtën fjalë kyçe të njohur: korrupsion.

Konsideroj se ky është vetëm një shembull që duhet të jetë motivim për autoritetet e të dy vendeve që të bashkojnë forcat dhe të punojnë së bashku për zgjidhjen e këtij problemi. Dhe sigurisht, të ftohen edhe vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor të bashkohen për të mbështetur procesin e përgjithshëm dhe rezultatet e shpejta në këtë plan. Kush do të ishte fituesi nëse do të ndodhte kjo? Të gjithë qytetarët. Cili shtet do të humbiste? Asnjëri.

Ky është vetëm një tregues se si komunikimi mund të përdoret për të nxitur veprimin, bashkëpunimin dhe afrimin mes vendeve të Ballkanit, ose, në kundërshtim me këtë, politikanët vazhdojnë të abuzojnë dhe përdorin komunikimin si armën kryesore për të nxitur përçarje dhe jotolerancë mes njerëzve nga anët e ndryshme të kufijve ballkanikë.

Kaluam dhe mbijetuam dekada, duke dëshmuar se cili vend është më i mirë, më i suksesshëm, më i vjetër, me më shumë histori, me njerëz më të rëndësishëm se të tjerët, etj. Por në të njëjtën kohë, nuk ka asnjë tregues që receta e tillë e zbatuar politikisht t’i ketë sjellë popullit ndonjë gjë të mirë përveçse ka mundësuar elitat e caktuara politike të qëndrojnë ose të vijnë në pushtet në një moment të caktuar historik.

A ndihen qytetarët më të lumtur apo më të kënaqur me këtë qasje? Përgjigjja është JO, sipas të gjitha parametrave, statistikave dhe kërkimeve përkatëse. Përkundrazi, standardi kudo në rajon është në nivel të ulët, varfëria po rritet, cilësia e jetës dhe shërbimet publike po bien, rreziqet po rriten dhe dëshira e të rinjve për të “ikur” nga rajoni është në rritje.

Në fund, parashtrohet dilema fillestare, ku janë marrëdhëniet ndërnjerëzore? A ka ardhur përfundimisht koha që marrëdhëniet politike dhe ekonomike të fillojnë t’i ndjekin marrëdhëniet ndërnjerëzore? Sepse është e qartë se njerëzit nga të gjitha vendet e Ballkanit lidhen me sukses, pajtohen dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin kur lëvizin në ndonjë nga vendet europiane ose kontinentin amerikan.

A do të përveshin mëngët më në fund politikanët dhe do të fillojnë të zgjidhin problemet që janë ekzistenciale dhe i mundojnë njerëzit? Apo sërish do të vazhdohet me krijimin e komunikimit të bazuar vetëm në histori, gjeografi dhe çështje të nxitura parazgjedhore?

Kjo analizë është pjesë e projektit: “Demitizimi i marrëdhënieve (jo)fqinjësore në rrugën drejt BE-së: Rasti i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, e mbështetur nga Ambasada Kanadeze në Beograd, përmes Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI). Përmbajtja e publikimit është përgjegjësi e vetme e EUROTINK – Qendra e Strategjive Europiane dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Ambasadës Kanadeze në Beograd dhe ato të Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale.

Eurothink's Vision

The vision of EUROTHINK is to see the Republic of North Macedonia as a developed, democratic and liberal society based on the principles of justice, equality, freedom and prosperity. We see the EU integration process as the best instrument for achieving our vision.

You Might be Interested

Social Media

Our Videos